Alketa Vejsiu Instagram – @harisvongli është nga ato vajza që të tërheqin fillimisht për mënyrën si shkruajnë, por të mbeten në mendje për thellësinë me të cilën mendojnë, ndiejnë dhe jetojnë. E pashë për herë të parë në Instagram, në mbrojtje të një gazetari të pushuar padrejtësisht nga puna, dhe menjëherë më bëri përshtypje gjuha e saj, forca e mendimit dhe mënyra si muzika, fjalët dhe qëndrimet e saj krijonin portretin e një njeriu me botë të pasur shpirtërore. Më pas u takuam në Tiranë, në zyrë, e më vonë edhe në Londër, dhe çdo bisedë me të më bindi se duhej patjetër të ishte pjesë e Inspire @podclass.alketavejsiu
Në këtë episod, Haris ndan rrugëtimin e saj akademik në Londër, eksperiencën si pedagoge në një universitet prestigjioz dhe këndvështrimin e saj të fortë mbi mënyrën si universitetet sot po kthehen gjithnjë e më shumë në biznes. Ajo flet edhe për raportin me studentët dhe për parimin e saj të pazakontë që të mos lërë kurrë asnjë student në klasë, duke shpjeguar arsyen njerëzore që fshihet pas këtij vendimi.
Biseda prek edhe temën e homesick, mallin, ndryshimet mes brezave dhe mënyrën si kanë ndryshuar studimet dhe jeta studentore në dy dekada të ndryshme. Haris ndalet pa filtra edhe te Shqipëria, te problematikat politike e sociale dhe te frika që, sipas saj, i bën njerëzit të heshtin edhe kur duhet të reagojnë.
Me shumë ndershmëri, ajo rrëfen edhe historinë e saj familjare. Flet për divorcin e prindërve, për faktin që njëri prej tyre krijoi një familje tjetër, ndërsa nëna e saj iu përkushtua me kohë të plotë rritjes së Harisit, duke jetuar me shpresën se një ditë gjërat mund të riktheheshin si më parë. Ajo ndan edhe pengun e saj për nënën dhe flet hapur për depresionin që ajo po kalon sot.
Në këtë episod ka vend edhe për dashurinë. Pas një historie 10-vjeçare që nuk funksionoi, Haris rrëfen si e rigjeti dashurinë pranë një partneri më të ri në moshë, duke folur me shumë qetësi për diferencën e moshës dhe për bindjen e saj se pjekuria dhe burrëria nuk maten me vite.
Një bisedë e mençur, e ndjerë dhe shumë njerëzore. Episodi i plotë në Class Media në YouTube
Ky episod mundësohet nga @8s2_loaded_with_energy dhe @bavaria_albania | Posted on 15/Mar/2026 14:02:46



